Kalo te përmbajtja
Vendi

Bekim Sejdiu tërhiqet nga kandidatura për president

14 Shtator 2026, 19:06 Admin
Bekim Sejdiu tërhiqet nga kandidatura për president

Kandidati për president, profesori Bekim Sejdiu ka njoftuar se është tërhequr nga kandidatura për president të Kosovës.

Sejdiu në një postim në Facebook ka thënë se duke u marrë parasysh rrethanat, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për t’u zgjedhur e po ashtu nga devijimi i tërë procesit, ka vendosur të tërhiqet dhe se për këtë ka njoftuar edhe përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sejdiu ishte prezantuar si kandidat konsensual për president dy javë më parë, pas marrëveshjes së dakorduar mes VV-së dhe LDK-së.

Por, gjashtë deputetë nga 18 sa i ka LDK-ja deklaruan se nuk do të votojnë për Sejdiun.

“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si Presidentit dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës. Për këtë vendim timin i kam njoftuar më herët përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Lëvizjes Vetëvendosje. Mbështetja e gjerë që më është ofruar këto ditë, nga kolegë, miq, personalitetete publike e të shoqërisë civile dhe, në mënyrë të veçantë, nga mërgata shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më ka bërë krenar për punën time në shërbim të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Sejdiu në Facebook.